Shkrimtari Abdelkader Benali në shqip

Në kuadër të bashkëpunimit tonë me projektin citybooks është botuar përkthimi i parë në gjuhën shqipe i një tregimi të shkrimtarit holandez me prejardhje marokene Abdelkader Benali. Në vazhdim ju ofrojmë një pjesë të këtij tregimi të shkruar gjatë qëndrimit të autorit në Shkup, në gusht të vitit 2011.

 

Statuja e një luftëtari të armatosur mbi kalë

1

Kush viziton Shkupin e vogël në gusht, duhet të llogaritë një vapë të thatë që nis herët në mëngjes e zgjat deri vonë në mbrëmje, e cila më shumë duket se u  takon luginave të lumenjve rreth Marakeshit se sa kodrave të konsideruara të flladshme të Ballkanit. Kjo temperaturë kalit sa s’bën shpirtin e banorëve por  përparësia e tyre ndaj mysafirit të dëlirshëm është se që nga pranvera kanë mundur të përgatiten për këtë. Ata janë në gjendje që plot stil të lënë përshtypjen se ajo nuk i pengon fare kur ballafaqohen me fënin që fryn dalë-ngadalë. Për udhëtarin e papërgatitur është krejt ndryshe, qysh në mbrritje vapa e mbërthen si një qafore e njomur në mjaltë. Vapa është pra kryeprotagonisti i këtij udhëtimi.

Vapa i jep sharmin qytetit. Ata që i përkasin shtresës së mesme dhe janë mirë nga gjendja largohen nga qyteti, vendin e tyre e zënë ata që mbeten. Njerëzit ndërrojnë veshje dhe sjellje pa u detyruar të heqin dorë nga opinionet ose botëkuptimet e tyre e megjithatë duken sikur janë kthyer në njerëz kryekëput të tjerë, të pushtuar nga një ndriçim i çuditshëm. Papritmas, nuk flitet për gjë tjetër por vetëm për minifunde, syze dielli Ray Ban dhe milkshake. Shatërvanët krijojnë iluzionin se uji është me bollëk në një klimë të stërthatë, efekt special që qetëson banorët: fundi i botës është ende larg. Kalimtarët duken sikur janë duke shkuar në ndonjë banket, figurantë të një ëndrre që trillohet aty për aty. Punët që duhen kryer bëhen në mëngjes. Pjesa tjetër e ditës është e hapur për udhëtarin të cilin nuk e pengon asgjë. Prania e këndshme e maceve që kërcejnë me vrap djathtas e majtas theksojnë disi vetminë e gjithë kësaj atmosfere. Ky është një qytet, siç ka për të zbuluar udhëtari, ku ai mund të humbasë në ëndrrat dhe iluzionet e veta.

Derisa qyteti gjatë dimrit ngrin, në këtë klimë të skëterrshme ai thahet fare. Dielli, që ditët e gjata e të nxehta i stolis me një bollëk drite, i jep qytetit pamjen e një fotografie paksa të mbiekspozuar të viteve Gjashtëdhjetë. Në këto kushte u përball ky udhëtar me Shkupin. […]

Këtu mund ta lexoni tekstin e plotë.


Kthehu