Ali Podrimja: Romani për shqiptarë, lektyrë në shkollat holandeze

 

Bëhet fjalë për romanin „Bujtina me potkua” i romancierit të shquar holandez, Cornelis Johannes George Spoelstra, i njohur me pseudonimin A. den Doolaard.

Ballkani ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve dhe krijuesve të profileve të ndryshme, sepse ky bisht Evropë, është për ta një vilajet i errët, i pazbuluar, enigmatik, një minierë e madhe shpirtërore e dy popujve antikë grek dhe shqiptar. Dhe kush ka kaluar këndej pari, nuk mundi pa lënë diç të shkruar apo ndonjë pikturë. Disa nga ato janë zbuluar. Njëri ndër ta është edhe romani „Bujtina me potkua” i romancierit të shquar holandez, Cornelis Johannes George Spoelstra, i njohur me pseudonimin A. den Doolaard i lindur në fillim te këtij shekulli, në Zvole të Holandës.

Ky romancier është i njohur se ka shkruar disa vepra për të bërat që ndodhin në Ballkanin tragjik, për hasmëritë e ballkanasve. Interesimi i tij për atë që ndodh atje e shpuri në mesin e atyre popujve që Evropa, në njëfarë mënyre, pak i ka të njohur ose aspak nuk i njeh. Ai shkroi edhe për shqiptarët. Udha në trojet tona e kish te nxjerrë nga veriu në jug. Kishte pasur raste të njihej edhe me gjakmarrjen në mes shqiptarëve. Kështu romanin “Bujtina me potkua”, të cilin e shkroi aty në Mavrovë, në krye të Radikës legjendare, në vitin 1933, bën fjalë për këtë plagë të rëndë. Në të vërtetë, ky roman, siç thotë edhe përkthyesi Sherefedin Mustafa, përkthyes edhe i poetit të njohur spanjoll Padron , është përkthyer në gjermanisht, spanjisht, danisht. Ndërkaq, vetëm në gjuhën holandeze është ribotuar 40 herë. Kjo do të thotë se ky roman ka zgjuar edhe interesin e lexuesit dhe kritikës holandeze. Përkthyesi thotë se këtë roman e njeh çdo holandez që së paku ka kryer një shkollë të mesme, sepse vite me radhë është si lektyrë e domosdoshme shkollore. Shtrohet pyetja: si? Mos gjakmarrja shqiptare ishte diçka antike për ta, apo imazhi për trojet shqiptare ishte ende i mjegulluar? Sidoqoftë, romancieri u ofroi lexuesve të tij diçka që vetëm kishin mundur ta paramendonin ose të lexonin tek autorët antikë.

Lexoni tekstin e plotë

 


Kthehu