Hysni Hoxha: Drama komplekse dhe enigmatike e natyrës së njeriut

Redaksia e Botimeve “Flaka e vëllazërimit” bo toi veprën e rëndësishme dhe tërheqëse të shkrimtarit bashkëkohor holandez, A. den Doolaardit, “Bujtina me potkua”, e cila është frymëzuar nga jeta dhe tradita e shqiptarëve. Libri është shkruar sipas përshtypjeve të shkrimtarit gjatë një udhëtimi nëpër Shqipëri. Siç theksohet në shënimin hyrës të autorit shkruar apostafat për botimin shqip, “Bujtina me potkua” është publikuar së pari në Amsterdam më 1933. Deri në vitin e kaluar është ribotuar 38 herë. Është përkthyer në gjermanisht, danisht dhe spanjisht. Lexuesve tanë iu bie në dorë fatkeqësisht pas 60 vjetësh nga botimi i parë.

Novela “Bujtina me potkua” përfton që në fillim një trajtë dramatike. Me paraqitjen e ngjarjes ndeshen menjëherë dy natyra dhe tradita të kundërta: Ërvin Reini dhe Leonardi. I pari është gjeologu hulumtues holandez, me moshë i ri dhe njeri fisnik dhe i drejtë, i cili është emëruar që në Alpet e Shqipërisë Veriore, të bëjë hulumtime të shtresave të çmueshme të bakrit. Ndërsa i dyti Leonardi është djalosh pesëmbëdhjetëvjeçar nga fisi i Shoshit, i cili karakterizohet si një personazh që personifikon malësorin shqiptar me karakteristikat themelore të natyrës së tij: nderin, burrërinë, krenarinë, besën dhe ndjenjën e hakmarrjes.

Në një situatë dramatike dhe shqetësuese Leonardi me urtësi i shmanget provokimit të një plaku dhelparak, familja e të cilit ka qenë në gjak me atë të Leonardit. I edukuar në frymën e traditës, ky djalosh vret dashnorin e Katarinës, gruas së vëllait të vet, Raufit, i cili para se të shkonte në kurbet, ia besoi Leonardit. Porsa del prej burgu, ai vret edhe malësorin spiun i cili e denoncoi në polici për vrasjen që kishte bërë.

Natyrën komplekse dhe të çuditshme të Leonardit e zbuloi hulumtuesi Ërvin Reini, kur një moment e sheh që me dy duar shtrëngonte një fotografi, në të cilën përpos dy burrave, ka qenë e fotografuar edhe Katerina. Ky djalosh, në të vërtetë, ka ushqyer një ndjenjë dashurie ndaj kësaj gruaje, të cilën është orvatur shumë ta mbajë të fshehur. Në bazë të kësaj Reini thekson se Leonardi kur bëri vrasjen, nuk veproi vetëm nga hakmarrja, por edhe nga dashuria.

Pas pyetjes së Leonardit: „Sa do të fitoja”, kur Reini i propozon të bëhet udhërrëfyesi i tij, ky hulumtues krijon një bindje të gabueshme ndaj këtij djaloshi të malësive dhe ndaj shqiptarëve.

„Kjo egërsirë e vogël domethënë qenka e dhënë si edhe shumica, vetëm pas parave”.

Ky ka qenë një reagim i shpejt dhe i gabueshëm i Reinit kur ai ende nuk e ka njohur mirë karakterin e shqiptarëve. Derisa përgatitej të hakmerrej, Leonardi ia merr revolen Reinit dhe i le një qese me të holla dhe një letër në të cilën i shkruan:

“Ky është kursimi i Leonardit si peng pëj revolen, që së shpejti do t’jua kthej, zotëri, në qofsha gjallë dhe në më ndihmoftë Shënmëria”.

Lexoni tekstin e plotë


Kthehu