Martin Mato: Malësori shqiptar, jeta e zakonet e vendit

 

(në syrin e shkrimtarit holandez A. den Doolaard)

“Bujtina me potkua”, një libër që për nga sasia e ribotimit duhet të jetë i njohur për çdo holandez. Ribotuar 38 herë dhe përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Një surprizë e këndshme

Që nga Holanda, një mik, A.G. Wet ma dërgoi një libër shqip “Bujtina me potkua” të shkrimtarit holandez A den Doolaard. Ngjarjet zhvillohen të gjitha në malësitë e Shqipërisë së veriut. Tipa autentike shqiptare. Zakone të njohura të vendit.

“Bujtina me potkua”, ndofta do të duhej të ishte një literaturën e detyrueshme për shkollat.

Autori i kësaj vepre, A. den Doolaard, emri i vërtetë Cornelis Johannes George Spoelstra, me 1933 bëri një udhëtim me këmbë nga Selaniku nëpër Shqipëri deri në Sarajevë. Ky udhëtim i dha mundësi të njohë mirë malësorët, zakone e tipa, dhe pas kësaj boton librin “Bujtina me potkua” i cili me doemos duhet të futet në literaturën shkollore të domosdoshme për tu lexuar. Është botuar deri tani 38 herë. Është përkthyer në spanjisht, gjermanisht dhe danisht. Shkrimtari është i njohur edhe për shumë vepra të tjera. Por me frymëzime të tjera nga Ballkani ai shkroi edhe romanet “Dasma e shtatë evgjitëve”, ngjarjet e të cilit zhvillohet në Ohër.

Djaloshi-burrë malësie

Autori, në hyrje të botimit shqip shpreh kënaqësinë e tij për suksesin e librit. Por ai është tepër modest. “Këto fakte dhe shifra nuk po i përmend nga mendjemadhësia se, për t’ia filluar, çdoherë kam qenë i vetëdijshëm se një pjesë e madhe e suksesit ka qenë borxh i temës ekzotike dhe sfondit romantik… Përndryshe vazhdimisht e kam pyetur veten: “A i kam paraqitur vallë mirë ata malësorë me shkëlqim shpeshherë të errët para syve, me traditat e tyre për ne të pakuptueshme?” Përkthimin në shqip e quan si një shpërblim të vërtetë. Një shpërblim tepër i çmuar, pas 60 vjetëve, kur autori nuk  rron më.

E kemi për detyrë shpirtërore ta njohim këtë libër, ta nderojmë autorin e tij, se shkruan mjeshtërisht dhe ta falënderojmë se foli me shumë dashuri dhe respekt për malësorët tanë, edhe i përshkroi në situata tragjike.

Ngjarjet e romanit rrëfehen nga këndvështrimi i Ervin Reinit, gjeolog i ardhur nga Londra në Alpet e Shqipërisë. Këtu, në vend të mineraleve, zbulon shpirtin e malësorëve, zakonet e tyre.

Kudo jeta shqiptare e malësisë: Shkodra, Thethi, Alpet,  vendi i ngjarjeve. Leonardi, djali pesëmbëdhjetë vjeçar, protagonisti. Për Reinin ky është fëmijë. Vetë djali e befason: “Çdo malësor që mbush 14 vjeç është burrë, zotëri, me të drejtat dhe detyrimet e një burri”. Leonardi i le i vëllai të kujdeset për nusen e re, të shoqen. Katerinën e bukur. Leonardit i duhet të mbrojë nderin e familjes, të luftojë si kreshnik, sipas normave dhe zakoneve. Në fund vdes si kreshnik, në majat e Alpeve, pasi ka realizuar tërë detyrimet sipas zakonit. “Turpin e lava dhe ati më shërben e ma falë uratën. Revolën ua ktheva dhe potkuan e ktheva”. Djalë, fëmijë nga mosha, por nga mendja plak i mençur, nga bemat për të ruajtur zakonet, një kreshnik.

Njerëz dhe fate

Shpirtin, traditat dhe zakonet e malësorëve Reini i kupton më mirë nga bisedat me priftin e Thethit, At Zefin. Ky s’është një prift i thjeshtë fshati. Është një erudit, i zoti në té gjitha fushat e jetës shoqërore. Njeh shpirtin e malësorit, por edhe dhelpëritë e pushtetarit, di të shërojë plagët e shpirtit, por edhe të trupit, njeh mineralogjinë, është njeriu i Zotit, por edhe tokësor. Ai ngjan me një filozof të aftë, kur shtron probleme të marrëdhënieve midis ligjit, zakonit dhe psikologjisë shoqërore. Ai është tokësor dhe praktik. Kur është rasti e kupton se mbi të gjitha duhet patur parasysh humanizmi. Ai ka studiuar në Austri, në Salcburg e Hal.

Ndërsa Leonardi është njeriu që vepron, sipas zakoneve, prifti zbulon kuptimin e veprimeve. Dhe ai i analizon konkretisht në rrafshe të shumta filozofike, psikologjike, zakonore etj.

“Këtu në Theth – thotë ai – unë isha zemra dhe ndërgjegjja e mbarë luginës”.

Lexon librin dhe të duket se e ka shkruar një njeri që ka jetuar në male, që i ka njohur thellë zakonet e gjakmarrjes, të mikpritjes dhe burrërisë malësore.

Ta nderojmë këtë mik

Kudo ndjehet dhembshuri, dashuri dhe respekt i shkrimtarit për malësorët.

Karakteret e gjallë (sidomos të Leonardit dhe At Zefit), detajet shprehëse dhe përgjithësuese (shembulli i patkoit në ngjarjen e dhënë, simbol i shpirtit kryengritës), episodet domethënëse e të tjera, e bëjnë librin tepër interesant.

Le ta nderojmë këtë mik të Shqipërisë, se ka shkruar me shpirt e dashuri për malësorin. Me këtë rast duhet lavdëruar punën e përkthyesit Sherefedin Mustafa që na bën këtë zbulim të këndshëm. Le të kujtojmë me këtë rast se miqtë e Shqipërisë dhe vetë shqiptarët, kudo ku janë në botë, se vepra të tjera të shumta arti me temë Shqipërinë presin të njihen nga vetë shqiptarët. Vështrimi me sytë e miqve dhe jo të atyre që të duan të keqen është një proces emancipues, të cilin ne shqiptarët duhet ta ushtrojmë ndoshta në një mënyrë më të shpeshtë si ritual, nëse duam të jemi në lartësitë që i kërkon koha.

Dhe pak paradoks ballkanik…

Një shprehje e vjetër latine thotë: “librat kanë fatin e tyre” dhe po të niseshim nga kjo thënie, ky libër pati vërtet një histori se si mbërriti deri në Tiranë. Në fillim të këtij shkrimi përmenda që ishte një mik holandez që na e dërgoi, por çudia më e madhe ishte që libri ishte i përkthyer shqip dhe madje në një shqipe të mrekullueshme. Atëherë menjëherë, siç ndodh jo rrallë me librat e mirë, kthehesh dhe e shfleton edhe njëherë nga fillimi dhe sheh të dhënat, dhe vë re se është botuar në Maqedoni, atëherë e kuptojmë se vëllezërit tanë në Maqedoni punojnë mirë, madje punojnë në disa fusha më mirë se ne, ndoshta është për tua patur zili për zellin që tregojnë për punë të këtilla. Por menjëherë s’të lë të mendohesh gjatë çudia e dytë, si ka mundësi: botuar në Shkup dhe në asnjë nga libraritë apo bibliotekat e Tiranës, të mos flasim për të qyteteve të tjera, nuk e ka. Ka gojë, thonë se në kufirin maqedonas nuk lejohet të qarkullojnë libra shqip. Nuk dua ta besoj edhe nëse është realitet në ndonjë  kufitare. Ndaj edhe po i kujtoj atij doganieri që zbaton në mënyrë të verbët urdhrin e ndonjë shefi të matufosur dhe me këtë ta mbyll edhe këtë shkrim. Kur Hajnia u kthye në Gjermani doganierët i kontrolluan baulet deri ë imtësi. Ndërsa përgjigja e tij ishte se ato që ju i kërkoni ti censuroni ndër baule ndodhen në kokën time zotërinj të nderuar.

(Rilindja, 30 maj 1996)


Kthehu