Moikom Zeqo: Subjektet shqiptare në letërsinë botërore

***

Dhe ja diçka tjetër e papritur, në minierën e librave të mi, befas gjej një libër, një roman, me titull “Bujtina me potkua” të një shkrimtari nga Holanda A. den Doolaard. Çuditërisht, ky libër është shqipëruar dhe është botuar në Shkup të Maqedonisë, në vitin 1993. Shqipëruesi Sherefedin Mustafa, ma kishte dhuruar ketë libër, por siç ndodh shpesh, të stresuar nga përditshmëria, nuk më kishte renë rasti për ta lexuar.

 ***

Romani “Bujtina me potkua” është një roman për të cilin meriton të flitet. Është një nga romanët më të famshëm dhe më të njohur si dhe lekturë shkollore në Holande. Autori i romanit, lindi në qytetin Zvole të Holandës në 7 shkurt 1901. Emri i tij është Cornelis Johannes George Spoelstra. Por u njoh me pseudonimin A. den Doolaard. Ky shkrimtar kishte instinktin e udhëtimeve dhe të aventurave. Në vitin 1928, shkon në France dhe punon si vjelës rrushi në vreshtat e Burgonjës. Pastaj shkon në Marsejë, ku punon si punëtor krahu në port. Romani i tij i parë quhet “Vjelësit e rrushit”. U bë i famshëm menjëherë. Në vitin 1931, i bie në dore një botim francez me titull “Shoqëritë sekrete”. Behet fjalë për shoqëritë masonike, konkretisht për masonët e Ballkanit. Studim i masonerisë behet dëshira dhe ëndrra e tij. Kështu, udhëton në Maqedoni, Bullgari, Serbi si edhe në Shqipëri. U mahnit nga Ballkani dhe u trondit nga marrëzitë ballkanike. Në 1939, boton romanin “Dasma e 7 evgjitëve”, subjekti i të cilit ndodh në qytetin e Ohrit. Madje edhe në vitin 1956, boton romanin “Vendi pas shpinës se Perëndisë”, me subjekt ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Malin e Zi.

Në vitin 1933, ky artist nga Holanda, bën një udhëtim në këmbë nga Selaniku, nëpër tërë Shqipërinë, në Durrës, në Shkodër, deri në Sarajeve. Pikërisht në vitin 1933, ai pasqyron përvojën e tij shqiptare dhe boton romanin “Bujtina me potkua”, me substance të frymëzuar nga jeta e malësoreve shqiptarë të Veriut dhe nga realiteti i ashpër ekzistencial. Ky roman, ishte suksesi më i bujshëm i shkrimtarit. Nga viti 1933, deri në vitin 1993, romani u ribotua 40 here. Si edhe është përkthyer në gjermanisht, spanjisht, frëngjisht, danisht dhe shqip.

Shkrimtari ishte gjalle kur u bë edhe botimi në gjuhen shqipe dhe me këtë rast, shkruajti edhe një fjalë ku thuhet “për një shkrimtar të moshuar, çdo ribotim i një vepre paraqet një kënaqësi. Jam 92-vjeçar, kurse librin e kam shkruar para 60 vitesh. Që nga viti i daljes, në 1933, ky libër është ribotuar 40 herë në gjuhën time amtare, pa përmendur përkthimet. Këto fakte nuk po i përmend nga mendjemadhësia, se për çdo herë kam qenë i vetëdijshëm se një pjesë e madhe e suksesit, ka qenë borxhi i temës ekzotike dhe sfondi dramatik, që të dyja këto gjëra plotësisht të panjohura për Evropën Perëndimore të stërkultivuar. Vazhdimisht, e kam pyetur vetën: “A i kam paraqitur vallë mirë ata malësorë, me shkëlqim shpeshherë të erret para syve, me traditat e tyre për ne të pakuptueshme?” Përkthimi në gjuhen e atdheut të personazheve të përshkruar, tashmë i largon dyshimet dhe këtë e konsideroj, si një shpërblim të vërtetë”.

Lexoni tekstin e plotë


Kthehu