Në kuadër të bashkëpunimit tonë me projektin citybooks është botuar përkthimi i parë në gjuhën shqipe i një tregimi të shkrimtares flamande Saskia de Coster. Në vazhdim ju ofrojmë një pjesë të këtij tregimi të shkruar gjatë qëndrimit të autores në Shkup, në verë të vitit 2011.
Njëqind e dyzet kile dashuri
Zogu i çeliktë i Air Adria-s fluturoi nëpër pëlhurat valëvitëse të Evropës Perëndimore, rrëshqiti pezull përtej perdes së hekurt e të grisur të anës lindore të Evropës, dëgjoi së largu mbi ujë trazirën në sheshet egjiptiane, iu afrua sa s’bën mustaqeve otomane dhe portreteve të Ataturkut. Ndërroi drejtimin përgjatë Selanikut ku prostitutat sorollaten në port; shpendi i hekurt ktheu në kohë sepse për një çikë gati sa nuk e tejkaloi destinacionin e vet. Depërtoi nëpër shtëllungat e tymit të cigareve Ronhill dhe retë e pafiltruara të pluhurit të fabrikave, gati për t’u lëshuar në ijën e Ballkanit, në vendin e vogël në kryqëzimin e qytetërimeve, ku dy milionë banorë presin të shqetësuar: Maqedoni.
Kur përpiqesh për të dalë nga avioni, trupi sapo ka arritur në destinacionin e tij ndërsa shpirti ende fluturon në një farë vendi që ndodhet ndërmjet. Mos qe vallë kjo arsyeja që mua, lesbikes së pavarur me njëqind e trembëdhjetë deri njëqind e tridhjetë kile (peshë dimri), nisën t’i dridheshin këmbët? Apo ndodhte kështu se unë isha për dashurinë dhe druaja se mos do të ndërmerrja prapë ndonjë tentim vetëvrasjeje?
“Ky është vendi,” tha Joycelyn, spiunia amerikane, me zë solemn dhe volum pesëdhjetë, “këtu ka shanse dhe burra sa të duash. Mijëra popuj deri më sot i kanë shkelur e bërë petull maqedonasit, tash është radha jonë që t’i dominojmë.” […]
Këtu mund ta lexoni tekstin e plotë.