Procesi i krijimit

Mund të duket si një lloj klisheje, por me lindjen dhe përhapjen e internetit bota është bërë pakëz më e vogël. Projekti i dizenjimit të markës SHM, për një përkthyes nga Maqedonia që jeton në Holandë, është realizuar kryekëput nëpërmjet këtij rrjeti global, nga një dizenjator holandez i cili jeton në Spanjë. Nuk është pra me rëndësi se cili dizenjator banon më afër teje; më shumë rëndësi ka krijimtaria e tij dhe masa në të cilën klienti dhe dizenjatori kuptojnë njëri-tjetrin.

Unë shumë shpejt fitova bindjen se me Sherefedinin gjendesha në të njëjtën linjë, falë pasionit dhe dedikimit që të dy kemi për profesionet tona. Udhëzimet e shumta që mora nga ai, në shumë aspekte i përngjanin një lloj manifesti. Sherefedini vetë theksoi se tranzicionet në veprat e M.C. Escher-it janë një metaforë e qëlluar e asaj se si ai e sheh profesionit e vet. E pra, nuk ka një nxitje më të mirë se kjo për një dizenjator. Për të krijuar një logo dhe markë është në fakt e rëndësishme që të punosh duke u nisur nga një koncept bazë. Kur një kompani operon duke u nisur nga një ideal, shpeshherë mund të zbulohet shpejt një koncept përkatës.

Escher-i mundohej që marrëdhënien midis realitetit dhe parqaqitjes grafike të tij ta manipulonte në një mënyrë karakteristike për të, që të krijonte kështu një univers në pamje të pamundshëm. Për mendimin tim, në njëfarë mënyre, edhe përkthyesi bën një gjë të tillë. Për klientin e një përkthyesi ekziston gjithashtu një univers i pamundshëm: një gjuhë e huaj, por përkthyesi, me punën e tij e shndërron atë në një tërësi të kuptueshme për klientin. Ashtu si në veprat e Escher-it, edhe këtu ndodh një tranzicion.

Nënkuptohet se kam eksperimentuar edhe me koncepte e skica të tjera, por një metafore apo koncepti të përcaktuar kaq bukur nuk mund t’iu shmangesh dot.

Për një logo është e rëndësishme që mos të përfshihen në të shumë pika që tërheqin vëmendjen, gjegjësisht të thuhet ajo që duhet thënë, me sa më pak elemente vizuale. Kjo mundëson që logoja, që në shikimin e parë, në tërësi të “absorbohet” nga shikuesi. Me krijimin e disa shtresave në logo, duke përfshirë në të konceptin që përmenda më parë, asaj i jepet një tension më i madh dhe në këtë mënyrë jo vetëm që “absorbohet” më lehtë por bëhet edhe e paharrueshme.

Në simbolin që kam krijuar për logon SHM shihet qartë ndikimi i
Escher-it: tranzicioni në pamje i pamundshëm. Një element plotësues është edhe vija që përshkon logon e cila shënon vazhdimisht një ‘S’. Përveç kësaj, falë formave fluide dhe vijave të vazhdueshme, ky simbol mund të përdoret si motiv zbukurimi në pjesën e mbrapme të materialeve të shtypura si kartëvizita, letra zyrtare e kompanisë etj.

Floris Voorveld
florisvoorveld.com

[really_simple_share]


Kthehu